Statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, të mbështetura nga Serbia në Kosovë, do të zgjidhet në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi të Kosovës. Kjo thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të Bashkimit Evropian për Radion Evropa e Lirë.
Zëdhënësi theksoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar të trajtojë integrimin e këtyre strukturave në konsultim me serbët e Kosovës dhe BE-në, veçanërisht me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Institucionet shëndetësore dhe arsimore në mjediset me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë dhe janë pothuajse të vetmet që autoritetet kosovare nuk i kanë mbyllur. Që nga fillimi i këtij viti, çështja e integrimit të tyre në sistemin kosovar është aktualizuar.
Më 16 janar, Albin Kurti njoftoi se procesi i integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb do të zhvillohet në koordinim me Bashkimin Evropian, duke theksuar se do të merren parasysh shqetësimet e komuniteteve joshumicë.
Megjithatë, nuk është saktësuar se cilat modele integrimi po shqyrtohen dhe nëse ky proces do të zhvillohet në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç insiston Beogradi. Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetje lidhur me këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.
Palët u pajtuan për Asociacionin më 2013 dhe ai përmendet në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë pranuar në vitin 2023. Sipas një draft-statuti të hartuar nga Bashkimi Evropian, Asociacioni duhej ta rregullonte edhe çështjen e të hyrave, përkatësisht financimin nga buxheti i Serbisë.
Përditësime
BE-ja dha përgjigje të re Koha.net-it, duke specifikuar konsultim me Peter Sorensen për statusin e institucioneve serbe.
Përfaqësues serbë reaguan kundër veprimeve të autoriteteve kosovare.