Politikanja nga Kosova Rada Trajkoviq deklaroi se dhënia e kompetencave ekzekutive përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe është opsioni i vetëm për mbijetesën e qëndrueshme të komunitetit serb në Kosovë. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ajo theksoi se nuk mund të ketë dallime nga sistemi arsimor i Republikës së Serbisë, përndryshe rrezikohet pozita dhe mbijetesa e serbëve.
Trajkoviq, e cila ka qenë drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, ka ligjëruar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit në Mitrovicë të Veriut – i cili vazhdon të funksionojë nën sistemin e Serbisë – dhe ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës, mbron këtë model si të domosdoshëm.
Nga ana tjetër, sociologu nga Prishtina Artan Muhaxhiri, njohës i rrethanave politike, vlerëson se qasja më logjike për integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore serbe – të cilat në zonat me shumicë serbe vazhdojnë të funksionojnë nën sistemin e Serbisë – është eklekticizmi pragmatik. Ai shpjegon se kjo nënkupton identifikimin e modeleve ndërkombëtare ekzistuese të ngjashme dhe përzgjedhjen e zgjidhjeve të përshtatshme për Kosovën. “Nuk do të ishte e nevojshme të fillohej nga zeroja, sepse praktika të tilla të integrimit të pakicave janë aplikuar për dekada në situata të ndryshme”, thotë ai.
Qeveria e Kosovës nuk ka paraqitur një qëndrim të qartë për modelet e integrimit. Çështja u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti deklaroi se sistemi i dyfishtë në arsim dhe shëndetësi nuk është i qëndrueshëm dhe se duhet bërë inkorporimi dhe bashkimi i tij. Ai premtoi se për këtë do të punohet së bashku me përfaqësuesit politikë të komunitetit serb dhe bashkësinë ndërkombëtare. Këtë mesazh, Kurti ia përsëriti sërish ambasadorëve të vendeve të QUINT-it.