Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), zhvilloi më 15 prill 2026 një takim pune me kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të udhëhequra nga kjo parti.
Fokusi kryesor ishte rritja e mobilizimit dhe forcimi i organizimit politik, në funksion të shërbimit sa më të mirë për qytetarët. Hamza theksoi se përballë zhvillimeve politike dhe sfidave ekonomike, strukturat e partisë duhet të jenë të organizuara, aktive dhe të lidhura ngushtë me qytetarin.
Ai shtoi se përmes organizimit në terren dhe mobilizimit të gjerë politik, PDK mund të ndërtojë një program të qartë, të realizueshëm dhe në përputhje me nevojat reale të qytetarëve. "Degët tona duhet të jenë qendra të ideve, të angazhimit dhe të komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët. Vetëm përmes një organizimi të mirëfilltë dhe një mobilizimi të sinqertë mund të vijmë me një platformë politike që i përgjigjet pritshmërive të tyre", u shpreh Hamza.
Në takim u diskutua rritja e koordinimit ndërmjet nivelit qendror dhe lokal, si dhe përfshirja më e gjerë e strukturave partiake në përgatitjen e politikave dhe alternativave zhvillimore.
PDK mbetet e përkushtuar ndaj një qasjeje të përgjegjshme dhe konstruktive ndaj zhvillimeve politike, duke synuar ndërtimin e një platforme serioze përmes organizimit të brendshëm dhe angazhimit në terren.