Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, priti sot në selinë e PD-së eurodeputetin Michael Gahler, koordinator i Grupit Parlamentar të Partisë Popullore në Parlamentin Europian. Takimi u zhvillua në një frymë mirëkuptimi.
Gjatë bisedës, Berisha i shprehu Gahler-it shqetësimet e opozitës për aferën Balluku dhe AKSHI-n, si dhe përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për të ndërhyrë në legjislacion me qëllim krijimin e një mburoje për korrupsionin e tij dhe të ministrave. Ai theksoi se amendamentet ligjore që synon Rama dëmtojnë luftën kundër korrupsionit dhe procesin e integrimit europian.
Sipas Berishës, opozita mbështet pa kushte integrimin në Bashkimin Europian, por kërkon që ky proces të jetë gjithëpërfshirës, i bazuar në meritë dhe të mos përdoret për qëllime propagandistike nga qeveria.
Berisha paraqiti një panoramë të skandalit të AKSHI-së dhe përfshirjen e kryeministrit Rama si dhe familjarëve të tij në këtë aferë, e cila, sipas tij, për Shqipërinë tejkalon aferën Epstein, jo vetëm si akt korruptiv, por edhe sepse prek superstrukturën shtetërore, përfshirë sigurinë kibernetike.
Palët u ndalën te zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Berisha u shpreh i kënaqur me dërgimin e një misioni vëzhgues nga Parlamenti Europian, ku Gahler ishte pjesë. Ai përmendi shkeljet e rënda të theksuara në raportin e OSBE-së dhe në 7 rezoluta ndërkombëtare që dënuan zgjedhjet e manipuluara. Gjithashtu u diskutuan lidhjet e Edi Ramës me kartelet e drogës.