Ish-zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka reaguar në Facebook pasi nuk është përfshirë në përbërjen e ekzekutivit të Qeverisë Kurti 3.
Në postimin e tij, Bislimi ka renditur arritjet kryesore të mandatit të mëparshëm. Ai ka përmendur liberalizimin e vizave, avancimin në zbatimin e reformave të agjendës evropiane dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, ka theksuar zhvillimin e politikave që sollën gjithëpërfshirje, barazi dhe rritje të qëndrueshme ekonomike.
Bislimi ka përmendur edhe përfaqësimin e Kosovës në dialogun në Bruksel, ku ka punuar për mbrojtjen e interesave të shtetit dhe prezantimin e vendit si palë e barabartë në proces.
Ai ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj kryeministrit Albin Kurti për mundësinë e dhënë për të kontribuar në këto procese të rëndësishme. Bislimi ka falënderuar kolegët nga kabineti qeveritar dhe ekipin e tij për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë këtyre 5 viteve, në mes të sfidave dhe sukseseve të shumta.
Në fund, Bislimi ka theksuar se mandati i ri qeveritar vjen me më shumë përgjegjësi dhe besim nga qytetarët. Sipas tij, ky mandat do të jetë më i suksesshëm, me arritje të reja, progres demokratik dhe zhvillim ekonomik.
Kujtojmë se Besnik Bislimi nuk kishte garuar për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare.