Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) ka ndaluar dy shtetase të Serbisë nën akuzën për spiunazh. Operacioni është shtrirë në Vranjë dhe Jagodinë, ku janë arrestuar D. C. (46 vjeçe) nga Shillova e komunës së Gjilanit dhe N. P. (50 vjeçe) me vendbanim në Jagodinë. Prokuroria e Lartë Publike në Jagodinë ka konfirmuar se pas përfundimit të marrjes në pyetje, do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit për të dyja të dyshuarat.
Sipas autoriteteve serbe, operacioni është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Lartë Publike në Jagodinë dhe drejtoritë përkatëse policore. Të dyshuarat akuzohen se kanë ndarë informacione konfidenciale në lidhje me pjesëtarë aktivë të inteligjencës serbe dhe angazhimet e tyre operacionale. Hetimet tregojnë se këto të dhëna dyshohet se u janë përcjellë Shërbimit të Inteligjencës dhe Sigurisë së Shqipërisë (SHISH), Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI) dhe Njësisë së Inteligjencës së Policisë së Kosovës.
Në kuadër të procedurave hetimore, forcat e rendit kanë kryer kontroll në banesën e N. P. në Jagodinë. Gjatë këtij kontrolli, autoritetet kanë sekuestruar sende dhe pajisje elektronike, të cilat aktualisht po shqyrtohen për të vërtetuar lidhjet e tyre me aktivitetet e dyshuara të spiunazhit.
Përditësime
Prokuroria e Lartë Publike në Jagodinë konfirmoi se të dyja të arrestuarat janë shtetase të Serbisë dhe do të kërkojë caktimin e paraburgimit për to.
Agjencia e lajmeve Tanjug konfirmoi se të dyja personat e arrestuar për spiunazh janë gra të moshës 46 dhe 50 vjeç.