Gjatë operacioneve të zhvilluara së fundmi, Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona në tri raste të ndara që ndërlidhen me armëmbajtje pa leje dhe sende të dyshimta.
Në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, autoritetet kanë arrestuar dy shtetas të Serbisë, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tyre me targa serbe janë gjetur pesë thika, dy prej të cilave taktike, një vulë, një kartë identifikimi të një organizate, pajisje shumëfunksionale, një kamerë GoPro, si dhe dy bluza me mbishkrime nacionaliste. Me urdhër të prokurorit, të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është iniciuar si mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
Në raste të tjera të shënuara:
- Në fshatin Lukinj të Prizrenit, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në ajër gjatë një ahengu. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë e llojit Beretta dhe 11 gëzhoja, ndërsa ai është dërguar në mbajtje.
- Në Ferizaj, një person është arrestuar për të shtëna në ajër, por pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa pistoleta e llojit Zoraki është sekuestruar.
- Në Skenderaj, një person është arrestuar pasi kishte publikuar një fotografi me armë në rrjetet sociale. Ai deklaroi se arma i përkiste një të afërmi të ndjerë dhe fotografia ishte realizuar në vitin 2021. Procedura ndaj tij po zhvillohet në mënyrë të rregullt.
- Në rrugën “Arsim Muzaqi” në Vushtrri, policia ka sekuestruar një granatë dore dhe nëntë gëzhoja të pushkës së gjuetisë, pas raportimeve nga qytetarët. Rasti mbetet nën hetim.