Prishtinë, 11 shkurt – Përfaqësuesit e platformës qytetare Liria ka Emër, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, kanë zhvilluar takime me udhëheqës institucionalë për të diskutuar marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, të planifikuar për 17 shkurt në Prishtinë, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Mbështetja nga Bashkësia Islame e Kosovës
Kryetari i Bashkësia Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, i ka pritur Elizën Hoxhën dhe Ismail Tashollin. Ai shprehu mbështetje të plotë institucionale dhe personale, duke e cilësuar pjesëmarrjen si obligim moral dhe atdhetar. Tërnava njoftoi se hutbeja e namazit të xhumasë më 13 shkurt në xhamitë e Kosovës do t’i kushtohet Ditës së Pavarësisë me mesazh përkrahës për luftëtarët e lirisë. “Drejtësia duhet të jetë e drejtë, e paanshme dhe në shërbim të së vërtetës”, tha ai, duke konfirmuar pjesëmarrjen personale.
Mbështetja nga Ipeshkvia e Kosovës
Eliza Hoxha u prit nga ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji. Ai shprehu përkrahjen e komunitetit katolik për marshin, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe në shërbim të së vërtetës. “Komuniteti katolik e mbështet këtë angazhim qytetar për drejtësi të paanshme dhe ruajtjen e vlerave themelore të lirisë”, u shpreh Gjergji.
Mbështetja nga Presidentja Osmani
Vjosa Osmani i priti Elizën Hoxhën, Ismail Tashollin dhe Ridvan Eminin. Ajo shprehu mbështetje për iniciativën, duke theksuar mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe të luftës për liri për brezat e rinj. “Vlerat kombëtare duhet t’i mbrojmë dhe t’ua përcjellim brezave si pjesë të krenarisë kolektive”, tha Osmani.
Eliza Hoxha vlerësoi mbështetjen nga institucionet fetare dhe shtetërore si dëshmi e karakterit qytetar të marshit. Ismail Tasholli theksoi unitetin qytetar rreth vlerave themelore. Platforma fton qytetarët, organizatat dhe komunitetet të bashkohen më 17 shkurt për mesazhin: Drejtësi, jo politikë.
Përditësime
Marshi 'Drejtësi, jo politikë' mbështet ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët gjykohen në Hagë për krime lufte.