Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka komentuar rastin e profilit të rremë në rrjetet sociale me emrin "Lule Gjeli", i cili ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Në një intervistë për emisionin "Rubikon" në Klan Kosova, Deliu-Kodra konfirmoi se paraditen e së hënës ka paraqitur dëshminë e saj zyrtare pranë Prokurorisë Speciale të Kosovës lidhur me këtë çështje.
Sipas Deliu-Kodrës, këto profile janë krijuar në mënyrë të vazhdueshme, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore, për të ndërmarrë fushata linçuese ndaj grave që angazhohen në jetën politike. Ajo theksoi se këto sulme shfaqin një karakter sistematik dhe krijojnë një mjedis të kontaminuar shoqëror, i cili ndikon negativisht në sigurinë dhe dinjitetin e personave të targetuar.
Një element tjetër i deklaratës së saj ka të bëjë me profilin e atyre që, sipas deputetes, nuk bien asnjëherë pre e këtyre sulmeve. Ajo pohoi se liderët dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë prekur nga profilet e llojit "Lule Gjeli". "Nuk ka asnjë përfaqësues të LVV-së i cili është atakuar ndonjëherë nga profilet e “Lulegjelave”, kemi me mijëra të tillë që kanë zënë vend në shoqërinë tonë", deklaroi Deliu-Kodra.
Deputetja përfundoi duke vënë theksin te rreziku që paraqet linçimi publik për shoqërinë, duke kërkuar reagim institucional ndaj këtyre veprimeve që, sipas saj, dëmtojnë rëndë diskursin publik dhe integritetin e individëve. Ajo nënvizoi se vetë ka qenë shpesh pre e fushatave të tilla, të cilat synojnë të dëmtojnë figurat publike që nuk i përkasin pushtetit aktual.