Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka denoncuar zyrtarisht në Prokurorisë Speciale rastin e profilit në rrjetet sociale të njohur si "Lule Gjeli". Përmes një reagimi publik, ajo ka kërkuar që hetimet të mos kufizohen vetëm në identifikimin e këtij profili anonim, por të shtrihen në zbulimin e mekanizmit që e mbështet atë.
Sipas Deliu-Kodrës, është e pabesueshme që një profil i tillë të ketë ushtruar ndikim të vazhdueshëm për vite me radhë pa një strukturë mbështetëse, koordinim apo financim. Ajo kërkon që prokuroria të hetojë çdo person që mund të ketë pasur dijeni për këtë rrjet, duke kërkuar verifikimin e deklaratave publike të Florim Krasniqit dhe të gjitha provave të tjera që mund të zbardhin kush ka urdhëruar, financuar apo koordinuar atë që ajo e cilësoi si një makineri propagandistike.
Profili "Lule Gjeli" është bërë temë diskutimi për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj figurave politike dhe gazetarëve, si dhe përhapjes së gjuhës së urrejtjes. Ndër personat e shënjestruar nga ky profil kanë qenë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, presidentja Vjosa Osmani, si dhe ish-kryeministri Abdullah Hoti, për të cilin profili në fjalë kishte shpërndarë informacione të rreme mbi vdekjen e tij.
Gazetari Berat Buzhala ka bërë të ditur se e ka denoncuar këtë çështje në Policinë e Kosovës dhe në Prokurorinë Speciale. Buzhala ka publikuar një fotografi të një personi, duke pretenduar se bëhet fjalë për Gent Prokshin, i cili sipas tij qëndron pas përdorimit të këtij identiteti të rremë.