Bruno Retailleau, kreu i partisë Republikanët (Les Républicains), pritet të shpallë sot zyrtarisht kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 në Francë. Lajmin e bëri të ditur vetë ai përmes një mesazhi të dërguar disa deputetëve të partisë.
Ish-ministri i Brendshme theksoi se vendimin e ka marrë pas reflektimi të thellë. Ai vlerësoi se ka ardhur koha që familja e tij politike t’u tregojë francezëve një rrugë të re, të bazuar te rendi, mirëqenia dhe krenaria kombëtare franceze.
Bruno Retailleau, 65 vjeç dhe deputet me profil konservator, shërbeu si ministër i Brendshëm gjatë viteve 2024-2025. Ai drejtoi fillimisht resortin në qeverinë e kryeministrit Michel Barnier dhe më pas nën François Bayrou. U rikthye në detyrë kur Sébastien Lecornu mori postin e kryeministrit në tetor të kaluar, por dha dorëheqjen pak kohë më vonë për mospajtim me disa vendime të kreut të qeverisë.
Pas largimit nga qeveria, Bruno Retailleau kritikoi ashpër ekzekutivin, veçanërisht për lëshimet që, sipas tij, Lecornu bëri ndaj Partisë Socialiste për të siguruar miratimin e buxhetit të 2026-s pa rrëzuar qeverinë.
Gjatë mandatit në Ministrinë e Brendshme, ai ndoqi një linjë të ashpër ndaj emigracionit, duke theksuar rritjen e dëbimeve dhe luftën kundër krimit të lidhur me trafikun e drogës. Megjithatë, sondazhet aktuale tregojnë se Bruno Retailleau e ka të vështirë të arrijë raundin e dytë. Ai përballet me konkurrencën e fortë të Marine Le Pen dhe Jordan Bardella, të cilët renditen lart në sondazhe.
Bruno Retailleau pritet të bëjë një deklaratë në rrjetet sociale më vonë gjatë mbrëmjes dhe të japë një intervistë në edicionin informativ të kanalit televiziv TF1.