Iliana Yotova ka marrë zyrtarisht detyrat e Prezidentes së Republikës së Bullgarisë, pas pranimit të dorëheqjes së presidentit Rumen Radev nga Gjykata Kushtetuese. Ky transferim automatik ndodh në përputhje me Kushtetutën bullgare, pa nevojën për betim të ri para Asamblesë Kombëtare, pasi ajo e kishte dhënë betimin në vitin 2021 si zëvendëspresidente.
Sipas kuadrit kushtetues, gjatë mandatit të saj nuk do të emërohet zëvendëspresidente e re. Mandati i Yotovës zgjat deri më 21 janar 2027, kohë kur skadon mandati i dytë i Radevit. Rumen Radev njoftoi dorëheqjen më 19 janar 2026, duke u bërë presidenti i parë në historinë moderne demokratike të Bullgarisë që largohet para kohe nga detyra.
Të premten pasdite, Radev u largua nga pallati presidencial në një ceremoni zyrtare, i shoqëruar nga pasardhësja Yotova.
Biografia e presidentes së re
Iliana Yotova e filloi karrierën si gazetare, para se të bashkohej me Partinë Socialiste Bullgare (BSP). Ajo ka pasur role të rëndësishme:
- Anëtare e BSP-së që nga viti 2000 dhe drejtuese e qendrës së shtypit të Këshillit Kombëtar të saj nga 1997 deri në 2007;
- Deputete në Parlamentin e 40-të të Bullgarisë (2005-2007), kryetare e delegacionit bullgar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë dhe zëvendëskryetare e delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE);
- Eurodeputete në dy legjislative evropiane (2007-2014), ku ka punuar për luftën kundër terrorizmit, mbrojtjen e të dhënave personale, krizën e refugjatëve dhe anëtarësimin e Bullgarisë në zonën Shengen;
- Zëvendëspresidente e Bullgarisë nëntë vitet e fundit, duke siguruar vazhdimësi institucionale.
Presidenti mishëron unitetin e kombit dhe përfaqëson Bullgarinë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Përditësime
Rumen Radev dha dorëheqjen në mes të krizës politike në Bullgari.
- Bullgaria ka mbajtur 8 zgjedhje parlamentare brenda 4 vjetësh, ku fituesit dështuan të formojnë shumicë ose koalicione të qëndrueshme.
- Qeveria e fundit zgjati pothuajse një vit dhe dha dorëheqje në dhjetor për protestat kundër buxhetit të ri dhe korrupsionit.
- Zgjedhjet e reja priten në muajt e ardhshëm.