Udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian mblidhen më 15 tetor në Bruksel për një samit dyditor, ku do të diskutojnë ekonominë, buxhetin e ardhshëm të BE-së, marrëdhëniet tregtare me Kinën dhe mbështetjen për Ukrainën. Takimi nis me çështjen e konkurrueshmërisë së dobësuar të ekonomisë evropiane dhe rritjen e çmimeve të energjisë, të cilat vijojnë të ushtrojnë presion mbi vendet anëtare.
Një nga temat kryesore është deficiti i lartë tregtar i BE-së me Kinën. Brukseli e akuzon Pekinin se përdor subvencione shtetërore për të krijuar konkurrencë të padrejtë. Para samitit, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë bërë thirrje për masa të reja evropiane kundër praktikave që, sipas tyre, shtrembërojnë konkurrencën në treg. Udhëheqësit do të shqyrtojnë gjithashtu nëse planet e njoftuara së fundmi për kufizimin e importeve të automjeteve hibride nga Kina janë të mjaftueshme për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara mes palëve.
Në axhendë është edhe buxheti shumëvjeçar i BE-së për periudhën 2028–2034. Propozimi i fundit për kompromis nuk pritet t’i zgjidhë lehtësisht mosmarrëveshjet mes vendeve më të pasura, përfshirë Gjermaninë, dhe shteteve që mbështeten ndjeshëm te fondet e kohezionit të BE-së. Nuk pritet marrëveshje përfundimtare gjatë samitit, por presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, është nën presion për të gjetur një zgjidhje që do të mundësonte arritjen e kompromisit deri në fund të vitit.
Të premten pritet të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do t’u kërkojë udhëheqësve evropianë mbështetje të mëtejshme për Kievin. Kërkesa vjen pas intensifikimit të sulmeve ruse ndaj Ukrainës, ku dhjetëra civilë kanë humbur jetën.
Diskutimet do të përfshijnë gjithashtu situatën në Lindjen e Mesme, mbrojtjen evropiane, zgjerimin e BE-së dhe migracionin.