Sipas të dhënave të publikuara nga Eugen Cakolli, hulumtues pranë organizatës Demokracia në Veprim (DnV), procesi i numërimit të votave me postë është ende në fazë fillestare. Deri më tani, nga 85,790 zarfe të pranuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), janë shqyrtuar mbi 60,000, prej të cilave rreth 2,500 janë refuzuar.
Bazuar në ritmin aktual të refuzimit prej rreth 4%, pritet që deri në përfundim të procesit të numërohen afërsisht 82,500 vota të vlefshme. Cakolli theksoi se në faqen zyrtare të KQZ-së janë përfshirë rezultatet e vetëm 57 kutive postare, që përfaqësojnë rreth 7% të numrit total të kutive që pritet të shqyrtohen (gjithsej rreth 200 kuti).
Nëse trendi aktual i mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje mbetet i njëjtë deri në përfundim të numërimit, projeksionet tregojnë se kjo forcë politike mund të arrijë në 52 mandate. Megjithatë, hulumtuesi bëri të ditur se gara mbetet e hapur për të paktën dy mandate të tjera, pasi rezultati përfundimtar do të varet nga shpërndarja e votave në pjesën e mbetur të procesit.
Ndër të tjera, Cakolli vuri në dukje se trendet e votave me postë paraqesin dallime krahasuar me rezultatet e votimit në ambasada dhe konsullata.
Përditësime
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka rritur numrin e mandateve në 50, pas numërimit të pjesës së votave me postë dhe atyre nga përfaqësitë diplomatike. Ky zhvillim ka shkaktuar humbjen e nga një mandati për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Detajet e procesit të numërimit:
- LVV regjistron mbi 65% mbështetje në votat me postë dhe mbi 80% në përfaqësitë diplomatike.
- Deri tani janë numëruar 36% e votave me postë, me 37 vendvotime që mbeten për procesim.
- Rezultatet aktuale për partitë kryesore qëndrojnë: LVV (44.4%), PDK (20.6%), LDK (17.2%) dhe AAK (7%).