Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku, deklaroi në emisionin "Studio 24" se Prishtina zyrtare mund të kishte ndërhyrë në dy momente kyçe për të parandaluar gjyqin në Hagë ndaj katër ish-liderëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte.
Sipas Çejkut, momenti i parë ishte pas rrëzimit të akuzës për trafik organesh nga gjykata. Në atë kohë, Parlamenti i Kosovës mund të rinegocionte paketën e ndryshimit kushtetues, duke kërkuar një amendim që lejonte institucionet kosovare të adresonin vetë krimet individuale të pretenduara, pa nevojën për zhbërjen e gjykatës. Ai vlerësoi se kjo u trajtua me mendjelehtësi, ndërkohë që lidershipi kosovar ishte pranë korridoreve të Brukselit, por përpjekjet erdhën me vonesë.
Momenti i dytë lidhet me përpjekjet e mëvonshme, përfshirë dy letrat e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, ku kërkohej mbyllja e gjykatës. Çejku theksoi se këto veprime erdhën vonë dhe pa strategji të qartë.
Ai sqaroi se krijimi i Gjykatës Speciale nuk kishte si qëllim goditjen e shtetësisë së Kosovës nga SHBA apo BE. Dëshmia e ish-zyrtarit amerikan James Rubin në Hagë konfirmon mbrojtjen e legjitimitetit të vetëmbrojtjes përmes UÇK-së dhe të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Rubin deklaroi se ishte konsultuar me Departamentin Amerikan të Shtetit para dëshmisë së tij.
Çejku vuri në dukje se gjykata, në mënyrë indirekte, ngrinte një aktakuzë politike dhe diplomatike ndaj ndërhyrjes amerikane, duke vënë në lojë reputacionin e SHBA-së, me bashkëautorë që kishin kryer krime kundër njerëzimit.