Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV) miratoi unanimisht kandidaturën e përbashkët të Federatës së Volejbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit për organizimin e Kampionatit Evropian U16 për djem 2027.
Vendimi u mor në mbledhjen e Bordit të Administratës së CEV-it dhe u konfirmua me një letër zyrtare nga presidenti i CEV-it, Roko Sikirić, drejtuar presidentëve të federatave, Bahri Gjinovci dhe Erlind Pëllumbi.
Turneu zhvillohet në verën e 2027-s në Prishtinë dhe Tiranë, ndërsa finalja e madhe luhet në Prishtinë. Pjesëmarrëse do të jenë 16 kombëtare nga e gjithë Evropa.
Ky vendim erdhi si rezultat i organizimit të suksesshëm të Kampionatit Evropian U16 për vajza nga Kosova dhe Shqipëria gjatë verës së 2026-s, i vlerësuar lartë nga institucionet evropiane të volejbollit. Bashkëpunimi i dy federatave u konsiderua standard i lartë organizativ nga CEV.
Ngjarja pritet të mbledhë talentët më premtues të volejbollit evropian dhe të ofrojë mundësi për volejbollistët e rinj drejt karrierës ndërkombëtare.