Bekim Çollaku, ish-shefi i stafit të Hashim Thaçit gjatë presidencës, ka rrëfyer se dorëzimi i Thaçit te EULEX-i, në nëntor të vitit 2020, ishte organizuar sipas një dakordimi paraprak me Gjykatën Speciale. Në një intervistë në emisionin FRONTAL të T7, ai tha se ishte rënë dakord që në momentin e largimit të Thaçit nga Presidenca të mos kishte prani të shtuar policore dhe që një automjet me targa civile t’i printe veturës së presidentit.
Sipas Çollakut, automjeti do të kishte një ose dy pjesëtarë të stafit të Gjykatës Speciale. Ai theksoi se Thaçi nuk ishte arrestuar, por ishte vetëdorëzuar sipas dakordimit të arritur paraprakisht me stafin e Gjykatës Speciale për mënyrën e largimit nga Presidenca.
Çollaku tha se ai dhe Thaçi kishin informacion paraprak për konfirmimin e aktakuzës, përpara se shefi i EULEX-it t’ia komunikonte zyrtarisht presidentit. Sipas tij, mënyra se si ishte bërë publike aktakuza u kishte lënë të kuptonin se përballja me drejtësinë në Hagë ishte përgatitur dhe se ishin të përgatitur për mundësinë e konfirmimit të saj.
Ai tregoi se më 4 nëntor 2020, ditën kur u konfirmua aktakuza, qëndroi deri në orët e para të mëngjesit në Presidencë, së bashku me Thaçin dhe Kadri Veselin. Çollaku kujtoi qetësinë dhe përmbajtjen e Thaçit, si dhe mënyrën racionale se si ai mendonte për hapat e mëtejshëm. Të nesërmen, Thaçi u nis drejt Hagës për t’u përballur me akuzat.
Çollaku tha se largimi ishte emocional për bashkëpunëtorët në Presidencë dhe se shumë prej tyre nuk arritën t’i përmbanin lotët. Ai vetë, sipas rrëfimit të tij, qau jashtë pranisë së Thaçit.
Në një tjetër rrëfim në FRONTAL, Çollaku e përshkroi atë si një nga ditët më të rënda profesionalisht dhe personalisht. Ai përmendi miqësinë dhe respektin e ndërsjellë me Thaçin, të cilin e njihte që nga studimet, dhe tha se bashkëpunimi me të ishte një mundësi që u jepej pak njerëzve.