Francisco Conceição, sulmuesi anësor i Juventusit, është i bindur se momenti i tij po afrohet dhe se do të shënojë rregullisht së shpejti. Në një intervistë për Sportmediaset, portugezi theksoi se "është vetëm çështje kohe" dhe shprehu dëshirën për të qëndruar për një kohë të gjatë në Allianz Stadium.
Ai foli në prag të ndeshjeve të rëndësishme për Juventusin, fillimisht kundër Interit në Serie A të shtunën dhe më pas ndaj Galatasarayt në play-off-in e Ligës së Kampionëve. "Duhet të bëjmë punën tonë. Duam të fitojmë dhe të tregojmë se jemi një ekip i madh", u shpreh Conceição.
Sa i përket Interit, ai pranoi formën e mirë të kundërshtarit, por theksoi cilësinë e Juventusit. "E dimë që Interi është në një moment shumë të mirë dhe fiton ndeshje me lehtësi, por kemi cilësinë për të bërë mirë dhe për të fituar. Do të shkojmë atje për të fituar."
Për Ligën e Kampionëve, Conceição e cilësoi si kompeticionin më prestigjioz në botë. "Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë kundër një ekipi të fortë, por minimumi që mund të bëjmë është të fitojmë dhe t’u bashkohemi klubeve më të mëdha."
Juventusi vjen pas eliminimit nga Atalanta në Kupën e Italisë dhe barazimit 2-2 me Lazion në Serie A, ku krijuan shumë raste, por ishin jo konkretë. "Krijimi i rasteve shpesh është gjëja më e vështirë. Mua më kanë munguar golat që do ta ndihmonin ekipin", pranoi ai. "Duam të fitojmë çdo ndeshje, të vazhdojmë të fitojmë në Serie A për të qëndruar lart dhe unë dua ta ndihmoj ekipin me më shumë gola dhe asistime."
Conceição ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist në 18 paraqitje nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti, i cili mori drejtimin në fund të tetorit. Juventusi aktualisht ndodhet në zonën e Ligës së Kampionëve në renditje.