Në një intervistë për mediumin Periskopi, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerësoi se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për situatën aktuale në vend. Megjithatë, ai theksoi se procesi duhet t'i paraprihet krijimit të një qeverie teknike, e cila do të kishte një mandat të përkohshëm, qoftë edhe gjashtëmujor.
Haradinaj drejtoi akuza të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke pretenduar se ky i fundit po shfrytëzon aparatin shtetëror për qëllime elektorale. Sipas Haradinajt, kryeministri nuk po garon thjesht si kryetar i një partie politike, por po përdor pozitat e pushtetit për të ndikuar në garë.
"Aparaturën shtetërore nëse ia lë në dispozicion, s’ke nevojë me shku në zgjedhje, veç përsërite rezultatin", deklaroi Haradinaj. Ai shtoi se përdorimi i rreth 5 mijë stafit institucional, si dhe i automjeteve e mjeteve të tjera publike në terren, cenon rëndë barazinë ndërmjet subjekteve politike.
Sipas propozimit të tij, kjo qeveri e përkohshme duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke përfshirë të gjitha partitë politike, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje. Qëllimi i këtij mekanizmi është krijimi i kushteve të barabarta për të gjithë garuesit dhe organizimi i zgjedhjeve transparente, duke shmangur ndikimin e pushtetit aktual mbi procesin e votimit.