Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka dërguar një mesazh publik gjatë natës së 12-të të protestës që po zhvillohet në sheshin e Prishtinës. Protesta është organizuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po kërkojnë drejtësi.
Përmes një postimi, Haradinaj ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike, përkatësisht takimet e zhvilluara ndërmjet kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Duke iu referuar këtyre takimeve si "të errëta", Haradinaj ka shkruar: "Populli në këmbë për 12 ditë e natë, në kërkim të drejtësisë për çlirimtarët. Shpresoj që zëri i këtij populli nuk i ka penguar takimet e errëta".
Kjo deklaratë është bërë në një kohë kur në kryeqytetin e Kosovës po vijojnë paralelisht si protestat në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ashtu edhe konsultimet ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve dhe partive politike parlamentare.