Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend. Nëpërmjet një deklarate publike, Haradinaj i ka cilësuar takimet e fundit ndërmjet liderëve politikë si të kota dhe pa ndonjë vlerë konkrete për qytetarët.
Sipas Haradinajt, këto takime përfaqësojnë vetëm manovra politike. Në postimin e tij, ai është shprehur: “Takimet e kota të liderëve politikë s’do të prodhojnë asnjë send. Vetëm manovra se kush kujt po ia fut”. Lidhur me këto zhvillime, ai ka ftuar publikisht qytetarët që më datë 6 tetor të bashkohen në një tubim në shesh, duke theksuar se: “Më 6 tetor do të duhej të ishim të gjithë në shesh”.
Këto komente vijnë pas takimeve të zhvilluara së fundmi mes kryeministrit Albin Kurti dhe liderëve të opozitës, si Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, të cilat janë interpretuar nga Haradinaj si përpjekje të pafrytshme të klasës politike.