Pas mobilizimit të shqiptarëve në diasporë dhe protestave të zhvilluara në mbështetje të krerëve të UÇK-së të dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë, ka reaguar përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Daut Haradinaj. Ai e ka cilësuar mërgatën shqiptare si një shtyllë vendimtare të përpjekjeve për liri gjatë kohës së luftës dhe një zë të fuqishëm edhe në situatën aktuale.
Në mesazhin e tij, Haradinaj ka theksuar se diaspora nuk vepron thjesht si një vëzhguese, por si një gardiane e historisë, duke dëshmuar përkushtim dhe lidhje të ngushtë me fatin e Kosovës. Ai shtoi se mobilizimi i vazhdueshëm i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit shpreh qartë mbështetjen për lirinë dhe për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke iu drejtuar mërgatës, Haradinaj vlerësoi sakrificën dhe unitetin e treguar. Ai u shpreh se kur populli shqiptar bëhet bashkë, asnjë sfidë nuk mund ta thyejë, duke bërë thirrje për vazhdimin e këtij dinjiteti në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare:
"Po, Liria Ka Emër, e ka edhe emrin edhe Mërgatë, e ka emrin sakrificë dhe ka prapa një popull të tërë, këtu e në çdo cep të botës, që sot po e mbron Luftën Çlirimtare, UÇK-në, me krenari dhe dinjitet. Faleminderit, Diaspora jonë! Kur jemi bërë bashkë, asnjë sfidë nuk na ka thyer dot, dhe as sot nuk do të na thyejë."
Përditësime
Daut Haradinaj e ndërlidhi drejtpërdrejt mobilizimin aktual të diasporës me protestat kundër vendimeve të Gjykatës Speciale në Hagë. Ai vlerësoi se diaspora vijon të jetë shtyllë mbështetëse për ish-krerët e UÇK-së, njëjtë siç kontribuoi gjatë luftës së viteve '98-'99.