Gianni De Biasi, ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, foli për situatën aktuale të ekipit kuqezi dhe mundësinë e rikthimit të tij në një intervistë në emisionin Off the Record me Andrea Danglli në A2CNN.
Ai theksoi se skuadra ka më shumë potencial sot se në 2017-ën. "Sot Shqipëria nuk është në ato kushte që e lashë unë në 2017-ën, por është një skuadër me perspektiva më të larta, sepse ka shumë lojtarë të mirë që janë pjesë e skuadrave bazë, si dhe të rinj që luajnë jashtë dhe mund të kontribuojnë për ta rritur më tej ekipin", u shpreh De Biasi.
Sipas tij, kombëtarja ka nevojë për një trajner që e ndjen Shqipërinë si gjëja më të madhe që ka në duar dhe di ta menaxhojë atë. Kjo lidhje emocionale është thelbësore për të ardhmen e skuadrës.
I pyetur për rikthimin e mundshëm në krye të pankinës kuqezi, italiani u shpreh i gatshëm, ndonëse nuk specifikoi nëse si trajner apo në rol tjetër. "Është një pyetë e vështirë. Ndonjëherë mendoj pse u largova në atë kohë, sepse mund të kisha vazhduar. Sot nuk e di nëse si trajner, por do më pëlqente të rikthehesha dhe të jepja një kontribut për Presidentin, për ta çuar më tej skuadrën tonë", tha ai, duke iu referuar Armando Dukës.
De Biasi komentoi edhe trajnerin aktual Sylvinho, duke e mbrojtur nga kritikat pas dështimit për kualifikim në Botëror. "Sylvinho nuk është për t’u kritikuar, mundet vetëm të qajë për rezultatin që nuk është arritur. Nuk varej prej tij, pasi kishte zgjedhur skuadrën më të mirë që mendonte në atë moment", përfundoi tekniku italian.