Gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në emisionin “Top Story”, studiuesi i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, vlerësoi se Gjykata Speciale në Hagë nuk duhet të shkrihet, pasi një veprim i tillë do të dëmtonte seriozitetin e shtetit të Kosovës. Sipas tij, fakti që të akuzuarit nuk u shpallën fajtorë për krime kundër njerëzimit apo për përndjekjen e popullatës serbe, përbën një aspekt pozitiv që zhvlerëson propagandën e figurave si Aleksandër Vuçiç dhe Ivica Daçiç.
Kjo deklaratë ngjalli reagime të menjëhershme në studio. Drejtori i informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari, replikoi duke u shprehur: “Vuçiç nuk ishte gëzuar aq sa duhet, se ishte i gëzuar, por nuk ishte gëzuar aq sa ti, ti dukesh më i gëzuar se ai”. Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, kërkoi sqarime më të detajuara në lidhje me akuzat për të cilat të pandehurit janë shpallur fajtorë, duke shtuar: “Është koha sot mos të merremi se çfarë ka ndodhur, por në çfarë duhet të bëjmë. Të më thotë për cilin krim janë dënuar?”.
Spahiu theksoi gjithashtu se në momentin e themelimit të gjykatës, kundërshtimi i ndërkombëtarëve, veçanërisht i SHBA-ve, ishte një sfidë e vështirë për politikën vendore. Ai nënvizoi se pavarësisht dënimeve për katër kategori të krimeve të luftës, mungesa e dënimit për krime kundër njerëzimit mbetet pika kryesore që sipas tij përfaqëson një zhvillim pozitiv në kontekstin e narrativave rajonale.