Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Austri, në një mbledhje të mbajtur më 3 korrik, ka kërkuar zyrtarisht përgjegjësi nga lidershipi i partisë për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhjet e 7 qershorit. Në takimin ku morën pjesë pesë kryetarë të nëndegëve, u vendos njëzëri që partia duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të përgjithshme për të realizuar reforma thelbësore.
Kërkesa për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut është adresuar më parë edhe nga degë të partisë në Pejë, Lipjan dhe një degë në Prishtinë. Si kundërpërgjigje, Abdixhiku kishte kërkuar dorëheqjen e degëve të udhëhequra nga Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti.
Këto zhvillime kanë shkaktuar përplasje të hapura brenda partisë. Megjithatë, pas diskutimeve në mbledhjen e kolegjiumit të degëve të LDK-së, shumica e anëtarëve votuan kundër kërkesës për dorëheqjen e kryetarit Abdixhiku, duke e konfirmuar atë në pozitën e tij, pavarësisht pakënaqësive të shprehura nga disa degë rajonale.