Në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë dorëzuar nënshkrimet e nevojshme nga delegatët që kërkojnë ndryshime në lidershipin e partisë. Sipas rregullave të brendshme, mbledhja e një Kuvendi të jashtëzakonshëm kërkon mbështetjen e të paktën 1/3 së delegatëve nga gjithsej 354 të tillë.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, konfirmoi pranimin e dokumentacionit dhe theksoi se nënshkrimet do t'i nënshtrohen procesit të verifikimit. Haziri bëri me dije se partia do të vijojë punën në dy binarë: shqyrtimin e kërkesës së delegatëve dhe vazhdimin e proceseve politike nën drejtimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili aktualisht mban kompetencat e plota.
Pakënaqësitë në radhët e LDK-së janë intensifikuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ku partia u rendit e treta me 18 ulëse në Kuvend. Figura të larta të partisë, si Avdullah Hoti dhe Arben Gashi, kanë kërkuar publikisht përgjegjësi për rezultatin zgjedhor. Kjo nismë vjen pas një tentative të ngjashme për votëbesim më 31 janar, të cilën Abdixhiku e kishte kaluar me sukses pas rezultateve të zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar.