Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka folur sërish për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi. Në një intervistë për televizionin Informer TV, Vuçiç pohoi se posedon informacione të siguruara përmes kanaleve të inteligjencës, duke pretenduar se e di përfundimin e çështjes.
Sipas presidentit serb, Hashim Thaçi do të shpallet i pafajshëm për akuzat që lidhen me krimet e luftës. Ai deklaroi se pret që Thaçi të dënohet vetëm për akuzën e dytë, atë të shpërfilljes së gjykatës ose pengimit të administrimit të drejtësisë. Vuçiç shtoi se pretendohet që dënimi të jetë i tillë që të mbulojë kohën që ish-presidenti i Kosovës ka kaluar tashmë në paraburgim.
Këto deklarata të Vuçiçit janë ndërlidhur nga mediat me zhvillimet politike në Serbi, ku çështja e Gjykatës Speciale po shfrytëzohet si temë e fushatës zgjedhore nga ana e presidentit serb.