Dekreti i presidentes Vjosa Osmani ka krijuar mundësinë për zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë, ndërsa pritet interpretimi i Gjykatës Kushtetuese. Partia në pushtet kërkon zgjidhje për të shmangur zgjedhjet, kurse opozita mbështet plotësisht dekretin.
Njohës të çështjes vlerësojnë se zgjedhjet e reja do të kenë pasoja negative në zhvillimin e brendshëm dhe në arenën ndërkombëtare. Analisti Artan Muhaxheri thekson se Kosova hyn në vitin e dytë të një bllokade totale, e cila ndikon në të gjitha sferat, veçanërisht në raportet me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo situatë largon aleatët, pengon anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe njohjet e reja, duke rezultuar në stagnim të plotë.
Pasoja priten edhe në ekonomi. Profësori i ekonomisë Nagip Skenderi shpjegon se mungesa e ligjeve dhe e direktivave të përgjithshme qeveritare për stabilitetin tregtar lejon funksionimin e pakontrolluar të tregut. Kjo çon në ngritje të çmimeve, që ndikon drejtpërdrejt në standardin social dhe ekonomik të qytetarëve.
Artan Muhaxheri vlerëson se kriza ka qenë krejtësisht e evitueshme dhe e panevojshme. Sipas tij, kishte nevojë vetëm për racionalitet, inteligjencë, vullnet dhe realizim për ta tejkaluar, por klasa politike është shumë e përçarë. Ai shpreh frikë se zgjedhjet e reja do të thellojnë problemin.