Delegacioni i njohur si Global Sumud Flotilla mbërriti gjatë ditës së sotme në Portin e Vlorës, pasi kishin paralajmëruar në rrjetet sociale një aksion për mbrojtjen e ishullit të Sazanit. Pavarësisht bujës së krijuar, anëtarët e delegacionit nuk zhvilluan vizitën e planifikuar në ishull.
Sipas njoftimit të drejtoreshës së përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj, e cila së bashku me zv.ministren e Kulturës dhe Turizmit, Marinela Prifti, priti delegacionin në port, aktivistëve iu ofrua mundësia për të vizituar Sazanin dhe për t'u njohur me dokumentacionin zyrtar mbi statusin e ishullit. Hysaj theksoi se delegacioni refuzoi vizitën dhe prezantimin informues, duke u shprehur se do të udhëtonin drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës së njohur si “Revolucioni i Flamingove”.
Në një reagim të saj, Hysaj kundërshtoi krahasimin që aktivistët kishin bërë mes Sazanit dhe situatës në Gaza. Ajo sqaroi se ishulli mbetet në pronësi publike dhe se nuk ka asnjë marrëveshje të finalizuar me palë private. Kryeministri Edi Rama mbështeti qëndrimin e institucioneve, duke ironizuar misionin e delegacionit dhe duke komplimentuar Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrinë e Kulturës e Turizmit për pritjen e organizuar ndaj atyre që ai i quajti “çlirimtarët e Sazanit”. Rama ka pretenduar vazhdimisht se në këto protesta ka ndërhyrje nga elementë të huaj që synojnë dëmtimin e turizmit shqiptar.
Përditësime
Zv.ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Marinela Prifti, priti delegacionin në Portin e Vlorës për të lehtësuar komunikimin institucional. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj, sqaroi se nuk ekziston asnjë projekt arkitektonik i miratuar për Sazanin. Hysaj theksoi se në çdo zhvillim të mundshëm të ishullit, shteti shqiptar do të garantojë rolin e partnerit kryesor.