Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht ndaj pjesëmarrjes së disa shtetaseve me origjinë nga Irani në protestat e zhvilluara në kryeqytet. Nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shprehu qëndrimin e tij kritik, duke u shprehur se në bulevard, krahas aktivistëve dhe diasporës, janë përfshirë edhe "turistë të shtirur" të cilët, sipas tij, synojnë të ndikojnë tek pjesëmarrësit.
Shtetaset e shfaqura në video, të cilat deklaruan se jetojnë në Kanada dhe ndodhen në Shqipëri prej pesë ditësh, argumentuan se i janë bashkuar protestës në shenjë solidariteti me qytetarët. Ato pohuan se institucionet nuk po i dëgjojnë shqetësimet e popullit dhe se qytetarët përballen me sfida të ngjashme pavarësisht vendit ku jetojnë.
Kryeministri Rama e ka lidhur këtë rast me një qëndrim më të gjerë, duke theksuar se protestat që nisën për shkak të investimit të planifikuar prej 4 miliardë dollarësh në Zvërnec, ndikohen nga propaganda e huaj, duke përmendur si faktorë influencues Iranin, Serbinë dhe Greqinë. Në këtë kontekst, janë përmendur edhe raste të mëparshme, si shpallja "person i padëshiruar" për 15 vite e Ikballe Huduti Berishës për shkak të lidhjeve me regjimin iranian, si dhe mbështetja e shprehur nga Dritan Goxhaj për këtë regjim.