Partia e Demokratëve Evropianë ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili e ka përshkruar lëvizjen e njohur si "Revolucioni i Flamingove" si një shembull të dezinformimit dhe ndërhyrjes së aktorëve të huaj. Sipas kryeministrit, këta aktorë po shfrytëzojnë protestat, përmbajtjen virale dhe zemërimin publik për të destabilizuar Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Në një reagim të bërë publik në rrjetet sociale, Demokratët Evropianë vlerësuan se, ndonëse dezinformimi dhe ndërhyrjet e jashtme përbëjnë kërcënime reale për sigurinë, ato nuk duhet të përdoren si justifikim për të shpërfillur ose minimizuar një lëvizje të fuqishme qytetare. Ata theksuan se protesta në fjalë ka lindur si pasojë e shqetësimeve të mirëfillta lidhur me pasojat mjedisore të një marrëveshjeje, si dhe për shkak të pikëpyetjeve mbi të ardhmen demokratike të vendit.
Organizata u ka bërë thirrje institucioneve shqiptare që të dëgjojnë zërin e qytetarëve, duke e vënë theksin te domosdoshmëria që procesi i integrimit në Bashkimin Evropian të jetë përparësi absolute. Sipas Demokratëve Evropianë, ky proces nuk duhet të tejkalohet nga marrëveshje të cilat, sipas tyre, shërbejnë për të favorizuar interesa private, përfshirë ato të familjes Trump.
Protesta, e cila vijon prej 61 ditësh, mbetet një pikë debati mes qeverisë dhe mbështetësve të saj, të cilët theksojnë rëndësinë e trajtimit të kërkesave qytetare përtej narrativës së ndërhyrjeve të huaja.