Edon Zhegrova mund të përfitojë nga mungesat në repartin ofensiv të Juventusit dhe të fitojë më shumë hapësirë në ndeshjen e së dielës ndaj Lecces në Serie A. Trajneri Luciano Spalletti ende nuk ka vendosur për formacionin, ndërsa dëmtimet mund të sjellin ndryshime në sulm.
Pas Francisco Conceicaos, në listën e të dëmtuarve është shtuar edhe Nico Gonzalez. Ai pësoi të premten një dëmtim muskulor në pulpën e këmbës së djathtë dhe pritet të mungojë rreth një muaj. Të dy lojtarët konkurronin me Zhegrovën për një vend në formacion.
Sipas parashikimeve të Gazzetta dello Sport, Zhegrova dhe boshnjaku Kerim Alajbegovic janë në garë për një vend titullari ndaj Lecces. Alajbegovic shihet si favorit i lehtë, ndërsa Zhegrova mbetet një alternativë që po shqyrtohet. Në garë për një rol ofensiv është edhe Jeremie Boga.
Zhegrova ka pritur që nga fillimi i sezonit për një mundësi si titullar, por nuk ka siguruar vazhdimësi në formacion. Para ndeshjes me Lazion shpresonte të niste nga minuta e parë, por Spalletti zgjodhi lojtarë të tjerë. Zhegrova u aktivizua nga stoli, ndërsa Juventusi e humbi ndeshjen.
Mundësitë e tij kufizohen edhe nga fakti se nuk është i regjistruar në listën e Juventusit për garat e UEFA-s dhe, për rrjedhojë, nuk mund të luajë në ndeshjet evropiane. Serie A mbetet mundësia kryesore për të siguruar minuta dhe për të bindur trajnerin.
Skemat e mundshme
Sipas Telegrafit, Spalletti po shqyrton tri skema: 3-5-2, 3-4-1-2 dhe një formacion me një sulmues. Në skemën 3-4-1-2, pas sulmuesve Randal Kolo Muani dhe Nick Woltemade mbetet një pozicion i lirë, ku Alajbegovic shihet me përparësi. Një rikthim te 3-4-2-1 mund t’i krijojë Zhegrovës më shumë hapësirë në fazën ofensive.