Në seancën maratonë të nisur mëngjesin e 16 prillit 2026, Kuvendi i Shqipërisë votoi rizgjedhjen e Denar Bibës si kryetar i Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës.
Deputetët dhanë 73 vota pro, 13 deputetë të opozitës votuan kundër dhe 1 tjetër abstenoi. Votimi u mbështet kryesisht nga mazhoranca, por edhe me disa vota nga opozita.
Të gjitha pikat e tjera të rendit të ditës u miratuan:
Projektligji për ratifikimin e protokollit shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, ratifikuar me ligjin nr. 9696, datë 21.3.2007, u miratua me 87 vota pro.
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së financimit me Cassa Depositi e Prestiti S.p.A. për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të Shqipërisë pas tërmetit të 2019-ës, u miratua me 74 vota pro.
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë mbi bashkëpunimin teknik 2024 për projektin Green Vjosa (Vjosa e gjelbër) – zhvillim rajonal i gjelbër dhe gjithëpërfshirës në zonën e ujëmbledhësit të Parkut Kombëtar të Vjosës, u miratua me 88 vota pro.
Projektligji për aderimin e Shqipërisë në marrëveshjen për zbatimin e dispozitave të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit të 10 dhjetorit 1982, lidhur me ruajtjen dhe menaxhimin e burimeve peshkore ndërkufitare dhe shumëmigruese, u miratua me 88 vota pro.