Kodi Penal i Republikës së Kosovës parashikon dënime me burgim prej një deri në pesë vjet për personat që falsifikojnë rezultatet e zgjedhjeve. Këto dënime përcaktohen në dy pika të nenit 216.
Sipas pikës 1 të nenit 216, dënohet me burgim prej një deri në tre vjet çdo person që shton, heq apo fshin votat apo nënshkrimet, regjistron në mënyrë të pasaktë votën apo rezultatet në dokumentet zgjedhore, publikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve që nuk i përgjigjen votimit të vërtetë, ose në ndonjë mënyrë tjetër falsifikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve.
Pika 2 e të njëjtit neni rrit dënimin në tre deri në pesë vjet burgim kur vepra penale nga pika 1 kryhet nga anëtari i Komisionit Zgjedhor ose ndonjë person tjetër në keqpërdorim të detyrave, pozitës apo autorizimeve të tij lidhur me zgjedhjet.
Këto dispozita vijnë në kontekstin e rinumërimit të pjesshëm të votave për kandidatë brenda subjekteve politike, ku janë konstatuar mospërputhje rezultatesh dhe thirrje për rinumërim të plotë në nivel vendi.
Dënime me burgim tashmë janë shqiptuar për vjedhje të votave dhe manipulim të rezultateve nga zgjedhjet e kaluara.