Një shtetas 57-vjeçar nga Kosova, i quajtur “sheh-imam”, u dënua nga Gjykata e Dietikonit pranë Cyrihut me tre vjet e gjysmë burgim (42 muaj) dhe ndalim hyrjeje në Zvicër për tre vjet. Gjykata e shpalli aktgjykimin pas një procesi që zgjati gjashtë ditë, sipas gazetës zvicerane Tages Anzeiger.
Ai akuzohet se ka ndërtuar një skemë mashtrimi sistematik duke krijuar një rrjet firmash fiktive. Duke u paraqitur si sipërmarrës në fushën e pasurive të paluajtshme, mashtroi bankat dhe shtetin zviceran me bilance të rreme. Përmes kësaj, përfitoi mbi gjysmë milioni frangash nga kreditë emergjente të pandemisë së Covid-19. Dëmi total llogaritet në rreth 1,5 milionë frangash zvicerane.
Hetimet filluan pas bastisjes policore në një vilë luksoze pranë Cyrihut, ku paguante qira mujore prej 24 mijë frangash. Gjatë operacionit, u konfiskuan dokumente dhe pajisje elektronike. U zbulua një sistem kompleks firmash fiktive si mbulesë për pasurimin e paligjshëm.
Ndërkohë që deklaronte varfëri para institucioneve, familja e tij gjashtëanëtarëshe dispononte rreth 120 automjete luksoze, përfshirë modele Porsche Panamera, Mercedes dhe Hummer H2 Luxury. Ai shpenzoi rreth 100 mijë frangash për blerjen e targave speciale, të cilat në Zvicër shiten në ankand.
I dënuari pretendon se udhëheq rreth 8 mijë besimtarë dervishë. Ai përfshiu në aktivitetet kriminale familjen e tij dhe dy ndihmës të tjerë. Prokuroria kërkoi ndalim hyrjeje për 15 vjet, por gjykata vendosi tre vjet.
Ish-bashkëshortja dhe katër fëmijët u liruan nga akuzat ose u dënuan me gjoba minimale. Gjykata arsyetoi se familja funksiononte nën një strukturë strikte patriarkale, ku vendimet financiare merreshin nga kryefamiljari. Dy fëmijë do të dëmshpërblehen me rreth 70 mijë frangash për kohën në paraburgim. Gjatë procesit, i dënuari kërkoi falje.