Në Dietikon të Zvicrës ka nisur të martën procesi gjyqësor kundër një 57-vjeçari kosovar nga kantoni Aargau, i njohur si imam dhe drejtor menaxhues. Ai akuzohet si figurë kryesore në një skemë krimesh ekonomike që ka shkaktuar dëm financiar në vlerë miliona frangash zviceranë.
Aktakuza, e volumit mbi 200 faqe, liston 20 pika kundër tij dhe bashkëpunëtorëve, duke përfshirë mashtrim, shpërdorim detyre, pastrim parash, evazion fiskal dhe falsifikim dokumentesh. Prokuroria pretendon se ai ka udhëhequr kompani drejt falimentimit të qëllimshëm, ka keqpërdorur kredi hipotekare për shpenzime private, ka përdorur firma fiktive për të marrë kredi bankare dhe ka përfituar mbi gjysmë milioni franga nga mashtrimi me kreditë për COVID-19.
Gjithashtu, dyshohet se ka deklaruar paga fiktive për familjarët për të siguruar leje qëndrimi në Zvicër përmes dokumenteve të falsifikuara. Të përfshirë janë tetë persona: ish-bashkëshortja (51 vjeç), vajza (27 vjeç), tre djemtë (të moshës 27 dhe 35 vjeç) dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë.
I akuzuari kryesor nuk ishte i pranishëm në seancën hapëse, pasi ndodhet në një klinikë psikiatrike dhe ka njoftuar përmes avokatëve se është i paaftë për t’u marrë në pyetje. Gjykata ka urdhëruar një ekspertizë mjekësore të pavarur.
Në rrjetet sociale, si Facebook, ku ka rreth 4500 ndjekës, ai prezantohet si imam devotshëm, ndërsa prokuroria e cilëson si kriminel ekonomik. Prokuroria kërkon për të një dënim prej 7.5 vitesh burg dhe dëbim nga Zvicra për 15 vjet, si dhe dënime më të lehta për të tjerët. Vendimi përfundimtar pritet në fund të muajit janar.
Vajza e tij ka deklaruar se ka nënshkruar dokumentet e paraqitura nga i ati pa i vënë në dyshim.
Përditësime
Asnjë nga djemtë e të akuzuarve nuk u paraqit në ditën e parë të gjyqit në Zvicër.
Një nga dy bashkëpunëtorët mungon për shkak sëmundjeje.
Zhvillimet kryesore:
- Gjykata paraqiti ekspertizë mjekësore nga Spitali Universitar Psikiatrik i Cyrihut (PUK).
- Seancat planifikohen të zgjasin 6 ditë.
- Periudha e falimentimit të kompanive: rreth 10 vjet.
- Akuzat e zgjeruara: kapital i pamjaftueshëm, shpenzime joproporcionale, spekulime të rrezikshme etj.