Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin ndaj Vesel Bunjakut, në kuadër të rastit të njohur si “Capat vs Sekiraqt”. Trupi gjykues, i përbërë nga kryetarja Fatime Dermaku dhe anëtarët Ertan Sejfullah e Altin Murseli, ka shqiptuar dënimin prej 7 muajsh burgim efektiv për veprën penale “Manipulimi me prova” dhe 2 mijë euro gjobë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Procedura ndaj Bunjakut ishte veçuar pasi ai kishte pranuar fajësinë në seancën e 26 gushtit 2026. Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 1 shtator 2024, rreth orës 21:42, në lokalin “From”. Pas përfundimit të të shtënave mes dy grupeve, Bunjaku ka marrë në posedim dy pistoleta gjysmë-automatike, të cilat dyshohet se i përkisnin Salih Sekiraqës dhe Fatos Abazit.
Pamjet nga kamerat e sigurisë kanë treguar të pandehurin duke mbajtur armët në duar drejt tarracës, për t’i vendosur më pas në pjesën e pasme të lokalit. Gjatë procesit gjyqësor, Prokuroria ka kërkuar ashpërsimin e dënimit për shkak të recidivizmit të të akuzuarit. Nga ana tjetër, mbrojtja e Bunjakut, e përfaqësuar nga avokati Agnez Furra, ka argumentuar se klienti i tij ka vepruar në gjendje traumatike për të larguar armët nga vendi i ngjarjes dhe se nuk ka qenë pjesë e asnjërit prej grupeve në konflikt.
Në shpalljen e aktgjykimit, gjykata konfirmoi se në kohën e dënimit me burg do të llogaritet periudha e kaluar në paraburgim, nga 11 shtatori 2024 deri më 11 prill 2025. Në seancën e shpalljes së vendimit ishte i pranishëm vetëm i dënuari.
Përditësime
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konsideruar të shlyer dënimin prej 7 muajsh burgim për Vesel Bunjakun, pasi i pandehuri ka përfunduar kohën e paraburgimit. Aktakuza ndaj Bunjakut, e ngritur zyrtarisht më 12 shkurt 2026, e lidh rastin me tensionet ndërmjet grupeve rivale 'Capat' dhe 'Sekiraqa'.