Deputetët e Partisë Demokratike zhvilluan një takim në Washington me kongresmenin Clay Higgins, anëtar i lartë i Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Reformës së Qeverisjes në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, si dhe kryetar i Nënkomitetit për Zbatimin e Ligjit Federal.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, bëri me dije takimin përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ndau edhe foto nga zyra e kongresmenit. Gjatë bisedës u trajtua situata në Shqipëri, me theks në dështimin e qeverisë për të luftuar krimin e organizuar, për shkak të bashkëpunimit të mazhorancës me të.
Bardhi nënvizoi domosdoshmërinë që sistemi i drejtësisë dhe agjencitë ligjzbatuese të sigurojnë pavarësinë e tyre dhe të rrisin bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për luftimin me efikasitet të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në postimin e tij, ai shkroi: "Me kongresmenin Higgins kishim mundësi të diskutonim sesi Shqipëria ka dështuar të luftojë krimin e organizuar, duke bashkëpunuar me të dhe duke e forcuar vit pas viti. Sistemi i drejtësisë dhe agjencitë ligjzbatuese duhet të sigurojnë pavarësinë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me partnerët me qëllim luftën me efikasitet ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit".
Vizita e deputetëve të opozitës në SHBA përfshin një seri takimesh me përfaqësues të lartë amerikanë.