Në Kuvendin e Kosovës kanë nisur lëvizjet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Deputetët e opozitës kanë ndërmarrë hapa konkretë për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme, duke synuar që zhbërja e kësaj gjykate të jetë pika e vetme e rendit të ditës. Sipas burimeve të mediave, deri në këto momente janë mbledhur 40 nënshkrime për këtë nismë.
Lëvizjet parlamentare pasuan vendimin e Gjykatës Speciale, e cila dënoi me gjithsej 81 vjet burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Në mbështetje të kësaj nisme është shprehur edhe ish-emisari amerikan për dialogun, Richard Grenell, i cili u bëri thirrje anëtarëve të Parlamentit dhe qeverisë së kryeministrit Albin Kurti që të punojnë për shpërbërjen e gjykatës. "Duhet vepruar shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Anëtarët e Parlamentit duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë", ka shkruar Grenell.
Dhomat e Specializuara të Kosovës u themeluan më 3 gusht 2015, pas votimit në Kuvendin e Kosovës dhe ndryshimeve përkatëse në Kushtetutë, konkretisht shtimit të Nenit 162. Ekspertët juridikë theksojnë se procedura për zhbërjen e këtij institucioni është tejet e ndërlikuar, pasi mandati i saj lidhet me përfundimin e të gjitha hetimeve dhe procedurave gjyqësore, ndërsa çdo ndryshim kërkon edhe miratimin e ndërkombëtarëve.
Përditësime
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, shprehu gatishmërinë e subjektit të tij për të mbështetur zhbërjen e Gjykatës Speciale. Hoxhaj theksoi se një hap i tillë kërkon konsensus të gjerë ndërmjet të gjitha subjekteve politike në Kuvendin e Kosovës. PDK bëri thirrje për një ripozicionim strategjik të shtetit, duke argumentuar se vendimet e gjykatës mund të shfrytëzohen nga Serbia për të nxitur çnjohje ose bllokime të reja në arenën ndërkombëtare.