Pas votimit të Qeverisë Kurti 4 në Kuvendin e Kosovës, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka shprehur kritika ndaj programit dhe përbërjes së kabinetit të ri qeveritar. Ramadani, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka deklaruar se nuk është vërejtur asnjë ndryshim thelbësor në përmbajtjen e ekspozeve apo në përbërjen e ekipit qeverisës.
Sipas deputetit të Aleancës, premtimet e prezantuara nga kryeministri Albin Kurti janë pothuajse 100% të njëjta me ato të vitit 2021. Ai vlerësoi se që nga ajo kohë nuk ka pasur lëvizje konkrete dhe se qeverisja e re bazohet vetëm në përsëritjen e fjalëve. Në postimin e tij, Ramadani theksoi se kryeministri Kurti do të udhëheqë një ekip prej 21 anëtarësh në kolltuqet qeveritare.
Ndër të tjera, Ramadani u shpreh se "punë s’ka bërë, punë s’ka për të bërë, fjalë dhe vetëm fjalë". Kujtojmë se partitë kryesore opozitare, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe Aleancën, nuk kanë marrë pjesë në seancën e votimit të kësaj qeverie.