Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, deklaroi në emisionin Debat Plus se në marrëveshjen politike të vitit 2021 nuk është paraparë mbështetja për një mandat të dytë të Vjosa Osmanit pas përfundimit të mandatit aktual presidencial.
Ajo u shpreh: "Nuk e mbaj mend se në marrëveshjen e vitit 2021 kemi thënë se do të ketë një mandat tjetër pas pesë vjetësh. Zyra e Presidentes po thirret në shumëçka që në fakt nuk ekziston askund."
Kryeziu-Hyseni theksoi se partitë e tjera nuk kanë treguar gatishmëri për ta mbështetur Osmanin. Sipas saj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka refuzuar atë që në fillim, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka dhënë garanci të qarta për mbështetje presidenciale.
Deputetja krahasoi trajtimin e Osmanit në të dyja partitë: "Në kohën kur LDK e kishte vendosur Osmanin me numrin 86 në listën zgjedhore dhe madje ia mbyllte dyert duke mos e lejuar të merrte pjesë në organet e partisë, LVV ia hapi dyert zonjës Osmani, sepse na ka bashkuar një kauzë shumë e madhe."
Sipas Kryeziu-Hysenit, pikërisht me LVV, Osmani arriti kulmin e karrierës politike: "Me LVV, Osmani u bë politikania më e votuar në Kosovë, u zgjodh kryetare e Kuvendit dhe më pas presidente."