Gjatë seancës plenare të zhvilluar këtë të enjte, deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka folur lidhur me incidentin e ndodhur një javë më parë, kur ajo u përndoq nga një grup protestuesish teksa po shkonte për të marrë pjesë në seancën parlamentare. Deputetja e cilësoi këtë përndjekje si një sjellje që i kujtonte "pionerët e Enverit", duke nënvizuar se fyerjet e marra ishin të pamerituara.
Fokusi kryesor i fjalës së saj në Kuvend ishte mbi pasojat e këtij incidenti në hapësirën digjitale. Iris Luarasi prezantoi të dhëna nga një monitorim i pavarur, i cili analizoi ndikimin e videos së përndjekjes në rrjetet sociale përgjatë një periudhe 5-ditore. Sipas këtyre të dhënave, emri i deputetes u përmend në 708 artikuj, 64 media online dhe 134 llogari të ndryshme, duke arritur një shtrirje totale prej 14.9 milionë.
Luarasi ngriti alarmin për gjuhën e urrejtjes dhe dhunën online, duke raportuar se janë identifikuar rreth 730 komente që ajo i cilësoi si ndëshkuese ose potencialisht të dhunshme. Këto komente përmbanin thirrje për burgosje, zhdukje, varje, djegie dhe pushkatim ndaj saj. 80 për qind e këtyre reagimeve u shënuan brenda 48 orëve të para pas publikimit të videos. Deputetja theksoi se këto thirrje nuk përbëjnë debat politik, por rrezikojnë aksesin e drejtpërdrejtë dhe të barabartë në debatin publik, duke iu referuar neneve përkatëse të konventave ndërkombëtare.