Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka reaguar lidhur me skandalin e qarkullimit të videove intime që përfshijnë kompozitorin Adi Hila dhe disa artiste të njohura. Në një deklaratë publike, ajo ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave, duke ngritur pikëpyetje mbi autorësinë e filmimit dhe përfituesit nga shpërndarja e këtyre materialeve në hapësirën digjitale.
Sipas Luarasit, përgjegjësia për këtë situatë bie mbi ata që kanë cenuar privatësinë dhe ata që e ushqejnë këtë dhunë përmes shpërndarjeve, klikimeve dhe komenteve fyese. Ajo nënvizon se turpi nuk u përket grave të përfshira në këto video, duke u shprehur se çdo koment ose veprim që ndikon në shtimin e linçimit publik është një formë e drejtpërdrejtë dhune. Luarasi u bën thirrje grave të prekura që të mos ndihen vetëm dhe të kryejnë denoncimet përkatëse pranë institucioneve të drejtësisë, pasi ky është hapi thelbësor për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndëshkuar abuzuesit.
Deputetja përshëndet punën e nisur nga Policia e Shtetit, Prokuroria dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për ndalimin dhe heqjen e materialeve nga qarkullimi. Ajo kritikon ashpër mediat dhe portalet që e paraqesin jetën intime si "lajm", duke u shprehur se ky veprim nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë, por përkundrazi shërben si një mjet për poshtërim dhe trafikim të dinjitetit njerëzor. Luarasi kujton se personat e prekur kanë familje dhe jetë personale që mund të përballen me pasoja të rënda nga ky turpërim publik.