Gjatë seancës gjyqësore ndaj Tyler Robinson, i cili akuzohet për vrasjen e Charlie Kirk, u prezantua një video-intervistë e dëshmitarit Lance Twiggs, ish-shok dhome i të akuzuarit. Materialin e paraqiti agjenti i Byrosë së Hetimit të Shtetit të Utah-ut, Brian Davis.
Në dëshminë e tij, Twiggs deklaroi se Robinson i kishte kërkuar hua një mjet elektrik të tipit Dremel. Ai shtoi se i akuzuari kishte folur prej muajsh për një udhëtim gjuetie dhe kampingu që planifikonte ta bënte me familjen.
Në vijim, gjyqtari Graf vendosi pranimin si prova materiale të disa mesazheve me tekst dhe një shënimi me shkrim që prokuroria ia atribuon të akuzuarit. Mbrojtja e kundërshtoi këtë vendim me argumentin se ekspozimi i tyre mund të ndikojë te juria nëse çështja kalon në gjykim të plotë. Megjithatë, gjykata urdhëroi pranimin e provave, duke kërkuar vetëm shlyerjen e të dhënave identifikuese si numrat e telefonit.
Avokati Jeffrey Neiman, që përfaqëson Erika Kirk dhe familjen e viktimës, kërkoi transparencë të plotë. Ai theksoi se familja ka pritur 10 muaj për këtë seancë dhe kërkoi që provat të jenë të aksesueshme për të pranishmit, edhe në mungesë të një transmetimi të drejtpërdrejtë. Tyler Robinson ndoqi seancën i qetë, ndërsa procesi u karakterizua nga disa ndërprerje teknike për shqyrtimin e provave video.