Goran Tanevski, turist nga Maqedonia e Veriut, dëshmoi të mërkurën në seancën gjyqësore për sulmin në Banjskë të Kosovës, kundër të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. Dëshmia u dha përmes lidhjes online në prani të prokurorit special Naim Abazi.
Tanevski ishte në Banjskë bashkë me bashkëshorten, fëmijët e mitur – përfshirë një me autizëm –, motrën dhe dhëndrin për pushim dhe vizitë në manastir. Ai deklaroi se ende përballet me probleme psikologjike nga incidenti. “Edhe më tej kam probleme të tilla”, tha ai kur u pyet nëse kishte tejkaluar ankthin.
Sipas dëshmisë, në mëngjesin e ditës së sulmit nuk kishte parë persona që dukeshin si turistë. Gjatë incidentit dëgjoheshin të shtëna armësh dhe britma. Tanevski tregoi se kishte frikë se mund t’i qëllonin me plumb dhe kishte parë njerëz të uniformuar rreth hotelit: dy jashtë objektit dhe një brenda, të armatosur me armë ushtarake pa shenja identifikuese.
Dëshmitari theksoi se familja e tij kishte përjetuar traumë të rëndë psikologjike gjatë ngjarjes në hotelin ku po pushonin.
Përditësime
Dëshmitari Tanevski dëshmoi se personat e uniformuar flisnin serbisht. Njëri prej tyre kërkoi një çarçaf nga gruaja e tij, të cilin ajo ia dha. Ata panë municion dhe një bombë nën dritare. Pas gjuajtjeve, u fshehën në bodrum për 2-3 orë. Tanevski vendosi të mos kthehet kurrë në Kosovë, për shkak të frikës për fëmijën e tij me autizëm.