Goran Taneski, shtetas maqedonas, vazhdon të dëshmojë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për sulmin e armatosur në Banjskë.
Ai ishte i pranishëm në hotelin “Rajska Banjska” ditën e ngjarjes. Sipas dëshmisë së tij, personat e uniformuar dhe të armatosur hynë në hotel dhe u dhanë urdhër mysafirëve të mos dilnin nga ambientet.
Taneski rrëfeu se dëgjoi britma, piskama dhe thirrje të serbëve që të tërhiqeshin. Mysafirët ndiheshin të kërcënuar, ndërsa personat e armatosur kontrollonin çdo lëvizje dhe kërkonin qëndrimin brenda për arsye sigurie.
Ai shtoi se nga frika u fshehën në podrumin e hotelit për disa orë. Pas ngjarjes, Taneski ka vendosur të mos e vizitojë më Kosovën, duke përmendur se ka një fëmijë me autizëm dhe se situata ka qenë e vështirë për të.
Hetimet për ngjarjen në Banjskë vazhdojnë.