Helen Fraser, dëshmitare në seancë gjyqësore, i tha prokurorit Joshua Hafetz se gjatë pyetjeve të djeshme i ka ushtruar trysni për të pranuar se rezultatet e Inteligjencës Artificiale kanë qenë thelbësore për vlerësimin e cilësisë së incizimeve audio.
Prokurori Hafetz i përmendi fillimisht dëshmitares se aftësia e saj për të vlerësuar me saktësi cilësinë e incizimeve është e kufizuar për shkak të mosnjohjes së shqipes. Fraser e pranoi këtë, duke shtuar se mund të vlerësojë cilësinë e regjistrimit audio, por jo cilësinë e fjalëve apo gjuhës.
Ajo sqaroi se ka përdorur platformat e Inteligjencës Artificiale, por vlerësimet dhe interpretimet e saj nuk u mbështetën në to. "Nuk mendoj se kanë qenë baza e vlerësimeve dhe përfundimeve të mia. Shërbyen thjesht si ilustrim dhe element dytësor në vlerësimin tim", tha Fraser.
Prokurori e pyeti nëse po mohon deklaratën e djeshme se rezultatet e IA-së nuk ishin thelbësore. Dëshmitarja u përgjigj se termi "thelbësore" është përdorur nga prokurori dhe se ka pasur presion për ta pranuar. "Ky është termi që përdorët ju dhe më ushtruat trysni për ta pranuar", deklaroi ajo.
Kur prokurori e pyeti nëse po thotë se ka gënjyer dje, Fraser e mohoi, duke shpjeguar se i është kërkuar të përgjigjet vetëm me "po" ose "jo", ndërsa disa përgjigje nuk mund të jepeshin në këtë formë.
Gjatë këtyre pyetjeve ndërhyri mbrojtja e Thaçit, përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegonx, e cila kërkoi ndalimin e pyetjeve të mëtejshme drejtuar dëshmitares.