Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, më 12 maj 2026, vazhdoi dëshmia e ekspertes australiane të linguistikës forenzike Helen Fraser, e thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit. Gjykimi zhvillohet për akuzat kundër Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Të akuzuarit e ndoqën seancën përmes videolidhjes nga Qendra e Paraburgimit.
Gjatë kundërpyetjeve të prokurorit Joshua Hafetz të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Fraser konfirmoi se kishte dorëzuar një version paraprak të raportit mbrojtjes së Thaçit. Ajo pranoi se kishte analizuar vetëm tetë audioincizime, që përbëjnë më pak se 3% të materialit total në dosjen gjyqësore, pra nuk ka njohuri për 97% të audiove të tjera.
Fraser shpjegoi se pretendimet e raportit të saj bazoheshin në materialin e vizitave të 3 dhe 6 shtatorit 2023 në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, të cilat i kishte konsideruar përfaqësuese. Prokurori theksoi se kjo analizë e kufizuar nuk jep njohuri të plotë për dosjen.
Sa i përket transkriptëve të ZPS-së, Fraser vlerësoi se disa interpretime të tingujve shkojnë përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme nga audio. Ajo përmendi komente rreth personave që hyjnë e dalin nga dhoma, fëshfërimave të letrave apo tingujve të kthimit të faqeve. Për zhurmën e letrës, ekspertja pyeti si e kishin dalluar përkthyesit e ZPS-së se po ktheheshin faqet, duke e cilësuar si të paqartë.
Në një moment, Fraser u shpreh se nuk kuptonte plotësisht pyetjen e prokurorit lidhur me paragrafin e raportit të saj për zhurmën e letrës, por konfirmoi se ishte dakord me atë që kishte shkruar. Dëshmia e saj kishte filluar një ditë më parë dhe përfshin përdorimin e inteligjencës artificiale për transkriptim të audiove.