Forcat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me repartin special RENEA, zhvilluan gjatë natës një operacion në fshatin Zallë të Fushë-Krujës për arrestimin e Ylli Zallës, shtetas i shpallur në kërkim që prej nëntorit të vitit 2025. Pavarësisht rrethimit të zonës, 49-vjeçari arriti të largohej duke përfituar nga errësira dhe duke u futur në një zonë pyjore.
Në pranga ra shtetasi Fatmir Alla, 55 vjeç, banues në të njëjtin fshat, mbi të cilin rëndojnë akuzat për "Përkrahja e autorit të krimit" dhe "Moskallëzimi i krimit". Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka njoftuar Zallën për mbërritjen e forcave të rendit, duke i mundësuar largimin. Gjatë kontrollit në banesën e Ylli Zallës, policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, një celular, municion luftarak dhe një pajisje për detektim frekuencash.
Në banesë u gjet edhe vëllai i të kërkuarit, 35-vjeçari E. Z., i cili ishte në kërkim nga DVP Lezhë si i dyshuar për një shpërthim me lëndë plasëse të ndodhur më 10 qershor 2026. Ndaj tij do të vazhdojë procedimi në gjendje të lirë.
Ylli Zalla është një emër i njohur për drejtësinë. Ai rezulton në kërkim në kuadër të hetimeve për atentatin në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Ai është skeduar më parë për posedim të arsenaleve të armëve, prodhim të bombave artizanale, si dhe për dyshime të lidhura me rekrutimin e personave për në konfliktet e huaja. Policia vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Përditësime
Policia e Tiranës sqaroi detajet e operacionit të RENEA-s, duke konfirmuar arratisjen e të dyshuarit Ylli Zalla në zonën pyjore. Në lidhje me këtë rast, autoritetet vendosën që vëllai i tij, E.Z., të ndiqet në gjendje të lirë.
Gjatë operacionit për kapjen e Ylli Zallës më 20 shkurt në fshatin Zallë, hetuesit gjetën një arsenal armësh. Sipas dosjeve të Policisë së Shtetit, 12 vite më parë, Zalla u arrestua për prodhim bombash artizanale, trafik droge dhe lidhje të dyshuara me organizatën terroriste ISIS.