Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë publike detajet teknike për autostradën Milot-Balldren, një ndërhyrje që synon të zgjidhë problemet e trafikut në një prej akseve më të ngarkuara të vendit. Aksi i ri, me gjatësi prej 17 kilometrash, do të ndërtohet sipas standardeve të Kategorisë A, duke përfshirë nga dy korsi qarkullimi dhe një korsi emergjence në secilin drejtim.
Sipas projektit, autostrada do të shtrihet në një gjurmë tërësisht të re, ndërsa infrastruktura aktuale rrugore do të vijojë të shërbejë si rrugë alternative për qytetarët. Një element kyç është ndërtimi i një tuneli me dy tuba, secili me gjatësi 850 metra, i cili do të mundësojë anashkalimin e qytetit të Lezhës. Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e urave, nyjeve lidhëse dhe sistemeve inteligjente për monitorimin e trafikut.
Investimi prej 365 milionë eurosh do të realizohet përmes një kontrate Partneriteti Publik-Privat (PPP). Fituesi i koncesionit 35-vjeçar është shpallur bashkimi i operatorëve ekonomikë:
- Salillari sh.p.k.
- ALB TIEFBAU sh.p.k.
- ERALD-G sh.p.k.
- InfraKonsult sh.p.k.
Sipas marrëveshjes, kompanitë private do të financojnë ndërtimin e aksit, ndërsa kthimi i investimit do të garantohet përmes tarifave të kalimit që do të aplikohen pas vënies në punë të rrugës. Punimet parashikohen të përfundojnë brenda fundit të vitit 2028.